Në orën 12:00 pritet të mbahet takimi i kryeministrit, Avdullah Hoti me disa prej liderëve politikë në Kosovë.
KosovaPress mëson se dy liderët opozitarë, Albin Kurti i LVV-së dhe Kadri Veseli i PDK-së edhe këtë herë nuk i janë përgjigjur ftesës së kryeministrit Hoti.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka ftuar sot sërish liderët e të gjitha partive politike në vend për t’i informuar rreth Samitit të Parisit dhe takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel.
Ashtu siç kishte vepruar para një muaji, në atë kohë, para nisjes për në Uashington kur ftoi liderët, edhe kësaj radhe Hoti thotë se e bën për të dëshmuar transparencën e këtij procesi.
“Ashtu siç e kam thënë prej ditës së parë do të jem plotësisht transparent në këtë proces. Por, dialog teknik nuk ka. Ka vetëm dialog politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, tha Hoti të hënën kur njoftoi për ftesat drejtuar liderëve.
Kryeministri Hoti do të raportojë edhe në Kuvendin e Kosovës rreth kësaj teme të premten në ora 12:00.