Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka edhe tetë ditë kohë për t’i paraqitur Kuvendit përbërjen e Qeverisë së re për miratim, konkretisht deri më 26 tetor. Ndërsa afati po ecën, Kurti zyrtarisht ende nuk ka nisur komunikimin me partitë për formimin e Qeverisë së re. Ai më 13 tetor ka thënë se nëse s’ka qeveri Kurti 3, atëherë ka zgjedhje të reja parlamentare, shkruan Reporteri.net.
Edhe pse i kanë ikur shtatë ditë nga afati ligjor prej 15 ditësh për formimin e Qeverisë së re, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ende nuk ka filluar zyrtarisht bisedimet me ndonjë nga partitë politike, edhe pse më 13 tetor paralajmëroi nisjen e bisedimeve për këtë javë, por deri sot nuk ka një njoftim për takim zyrtar të ketë ndodhur një gjë e tillë.
“Për qeverinë qendrore, dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca ku unë prezantoj kabinetin qeveritar është 26 tetori, këto ditë jemi të përqendruar maksimalisht në analizën gjithëpërfshirëse të rezultatit të zgjedhjeve lokale. Shumë shpejt, këtë javë do të fillojmë bisedat për qeverinë qendrore, sepse Kosovës i duhet edhe një mandat i qeverisë tonë. Neve na duhet një mandat i ri në përputhje me rezultatin, edhe unë si kryeministër kam hyrë në muajin e shtatë të vitit të pestë, duhet të kemi mandat të rregullt, që padyshim do të fillojë porsa të nxjerrim në seancë Kuvendi përbërjen e re të qeverisë Kurti 3”, tha Kurti në konferencë për media të hënën më 13 tetor, një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Ai tha se në momentin që bisedat kanë sukses nuk do ta pret 26 tetorin, ndërsa paralajmëroi zgjedhje të reja parlamentare nëse nuk ka qeveri Kurti 3.
“Tash po numërojmë poshtë, përderisa më herët nuk numëronim te poshtë, por përpara, nuk kishte afate. Tash po numërojmë poshtë, dhe vura theksin te 15 ditëshi që përfundon më 26 tetor. Në momentin që konsiderojmë se bisedat kanë rezultuar të suksesshme, pa vonesë nuk e presim 26 tetorin. Po bëhemi gati për qeverinë Kurti 3, nëse nuk ka Kurti 3, jemi të gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare”, tha ai.
Kurti, i pyetur për koalocionet e mundshme, nuk pranoi të flasë, por kishte deklaruar që do të ketë bisedime, pa treguar konkretisht me kë.
“Komunikimi dhe bisedat që do të zhvillojnë janë ato që do ta përcaktojnë përbërjen e shumicës së re që do ta votojë qeverinë Kurti 3”, deklaroi ai të hënën e kësaj jave.
Ndërsa kanë ikur katër ditë nga këto deklarime të Kurtit, partitë kryesore në vend, PDK, LDK e AAK kanë paralajmëruar se nuk do të lidhin koalicion qeverisës me Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa derën hapur ia ka lënë Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi më 15 tetor në një konferencë për media ka deklaruar se nuk ka pas kurrëfarë kontakti apo komunikimi me Lëvizjen Vetëvendosje, shkruan Reporteri.net.
Ai tha se edhe nëse do të ndodhte një kërkesë nga ana e VV-së, nuk do të pranonin të diskutonin për qeveri me ta.
“Nuk kam kurrfarë kontakti as komunikimi me Vetëvendosjen. Nuk pres kurrfarë kërkese, por po e them përmes juve kot e dërgon kërkesën se për këtë çështje as që e diskutojmë me Albin Kurtin çfarëdo lloj qeverie në çfarëdo opsioni. Kjo është e qartë prej datës 10 shkurt, e ka thënë Bedri Hamza. Qëndrimet tona janë konsistente”, deklaroi Krasniqi.
Sipas Krasniqit, Kurti nuk i ka numrat për ta bërë qeverinë.
“Jam i bindur siç kam qenë gjithmonë, që s’ka numra. E më pas ezaurimi i provës së parë, sjell atë të provës së dytë. Afatet kushtetuese janë të tilla, që mund të përfundojmë në zgjedhje mes 30 nëntorit deri më 14 dhjetorit, ndoshta me 7 dhjetor. E nëse na befason Kurti, mbesim me shku në zgjedhje në prill”, tha Krasniqi.
Se nuk do të hyjnë në koalicion me Vetëvendosjen ka paralajmëruar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e Lumir Abdixhikut.
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Besa Gaxherri, ka thënë se partia e saj nuk do të jetë në koalicion me VV-në.
“Kalkulimet e Kurtit janë të ditura, mund të themi që nuk është i interesuar ta krijojë qeverinë pasi që nuk ka mundësi ta bëjë vetëm me deputetët e subjektit tij politik, nuk e shohim se ai po kërkon një bashkëpunim nga partitë politike për ta bërë qeverinë dhe duhet t’ia lejmë kohës dhe të shpresojmë sepse natyrisht Kosova ka shumë nevojë për institucionet e saja. Kemi humbur projekte miliona buxhet për vendin, LDK nuk do të jetë në koalicion me LVV-në, i ka dhënë arsyet e veta, një vendim të tillë ne e kemi marrë në organet e LDK-së dhe nuk ka asnjë ndryshim në këtë aspekt. LVV ka obligim ta themelojë sa më shpejt qeverinë, takim për t’i diskutuar dhe shqyrtuar mundësitë nuk mund të iu jap përgjigje sepse natyrisht duhemi të takohemi si kryesi e LDK-së dhe ta shqyrtojmë këtë ftesë në qoftse kushtimit ndodhë, por që të kemi koalicion me VV-në ata e kanë përgjigjen publike disa herë dhe nuk duhet të kalkulojnë më nuk duhet ta përdorin këtë lojë”, ka deklaruar Gaxherri në Tëvë1.