Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar sërish pas arritjes së marrëveshjes për njohjen e dokumenteve identifikuese me shtetin e Serbisë, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se tashmë qytetarët me dokumente identifikimi të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare.
Sipas tij, njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.
Tutje kryeministri ka falënderuar ndërmjetësuesit e marrëveshjes, Josep Borrell, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, si dhe të gjithë qytetarët për durimin në javët e fundit.