Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Ekipi Menaxhues që do ta shkruajë draftin e Asociacionit nuk i është përgjigjur asnjëherë thirrjeve të institucioneve të Kosovës.
Ai tha se Qeveria e Kosovës nuk e ka asnjë anëtar në këtë ekip, duke shtuar se ekipi edhe punën e ka jo aq të njohur.
Kryeministri tutje tregoi se nga Qeveria e tij kishte pasur përpjekje për takim, por nga ekipi menaxhues kishin refuzuar.
“Ka një vendim të fundit nga ish-zëvendëskryeministri Rakiq për një ndërrim të përbërjes. Mirëpo, kaq di nga ana ime. I përket ekipit menaxhues që të shfaqet. Ministri im, pra ai i Administrimit Lokal, Elbert Krasniqi, i ka bërë ftesë për takim këtyre, mirëpo ata nuk janë përgjigjur asnjëherë. Ai ekip menaxhues edhe statusin edhe punën e ka jo aq të njohur, megjithatë ky ka qenë qëndrimi i ndërmjetësimit. Ndërsa, unë si kryeministër i Kosovës kujdesem për kushtetutshmëri, ligjshmëri dhe që gjithçka të jetë në funksion me qëllimet dhe parimet tona”, tha ai.
Kurti përsëriti së në takimin e Ohrit ka ofruar që vetë ai ta shkruajë draftin e Asociacionit, por se ndërmjetësit s’kanë pranuar.
“Në takimin e Ohrit të datës 20 mars, kam ofruar që të shkruaj unë draft-statutin e Asociacionit, por me ato tri shtyllat parimore që duhet të pranohen paraprakisht. Një gjë e tillë u refuzua dhe mua m’u tha nga ndërmjetësit se këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues si pasojë e marrëveshjeve të mëhershme në dialogun e Brukselit në ato vitet para një dekade”.