Vendet e QUINT-it disa herë, përmes komunikatave të përbashkëta, kanë kërkuar në vazhdimësi nga institucionet e Kosovës, zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuse për Manastirin e Deçanit. Lidhur me këtë kryeministri Albin Kurti ka thënë sot se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen, por se në rastin e Manastirit të Deçanit duhet të kihen parasysh edhe kundërthëniet. Në një konferencë për media, kryeministri deklaroi se kontesti për Manastirin e Deçanit e ka burimin tek një vendim i Qeverisë së Serbisë të vitit 1997.
“Besoj që duhet theksuar se jemi të vetëdijshëm që vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen por njekohesisht duhet që t’i kemi parasysh edhe kundërthëniet që e kanë përcjell çështjen e tokave përreth Manastirit në aspektin historik dhe atë ligjor. Së pari, gjithçka e ka burimin tek vendimi i Qeverisë së Serbisë në vitit 1997 kur iu dhanë tokat Manastirit në mënyrë diskriminuese sepse ato ishin pronë të dy ndërmarrjeve publike”, tha Kurti.
Kurti poashtu theksoi sot se Manastirit i Deçanit nuk ka identitet të pavarur ligjor për shkak se ligjërisht i përket Kishës Ortodokse Serbe.
“Në kuptimin ligjor Manastiri i Deçanit nuk ka identitet të pavarur ligjor sepse ligjërisht i përket Kishës Ortodokse Serbe. Është e pak e habitshme se si i është njohur Manastirit e drejta e palës në procedurë, aq sa është edhe përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në këtë proces duke i dhënë të drejtë Manastirit”, tha ai.
Kryeministri u deklarua edhe për vendimin e Kushtetueses duke thënë se nuk është dashur që të marr një vendim mbi këtë çështje pa u konsumuar të gjitha shkallët tjera juridike.
“Çështja e pronësisë së tokave përreth Manastirit nuk ishte vendosur nga ndonjë gjykatë përkatëse dhe Gjykata Kushtetuese besoj që nuk është dashur të marr vendim mbi një çështje pa u konsumuar të gjitha shkallët e tjera juridike. Manastirit i Deçanit siç e dimë të gjithë është pjesë e një mozaiku të pasur kulturor të Kosovës. Fatkeqësisht, Kisha Ortodokse Serbe është ajo që është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia si instrument politik kundër Kosovës dhe shqiptarëve”, tha ai.
Ai u zotua se Qeveria e Kosovës do të angazhohet për ruajtjen e të drejtave legjitime të Manastirit, si dhe u bëri thirrje edhe liderëve fetar të bëjnë punën e tyre në këtë aspekt.
“Ne do të angazhohemi maksimalisht që të ruhen të drejtat legjitime të Manastirit por edhe liderët fetar të Manastirit ta bëjnë pjesën e tyre duke kërkuar zgjidhje përmes dialogut e marrëveshjes me popullatën lokale dhe unë besoj që një gjë e tillë që është e mundur”, ka thënë ai.