I pari i qeverisë, Albin Kurti përmes një video të publikuar në Facebook i ka bërë thirrje mërgatës të regjistrohen përmes e-Kosova si qytetartë jo rezident, shkruan Reporteri.net.
Në postimin e bërë Kurti thotë se me regjistrimin e bërë si qytetarë rezidentë, mërgata ndihmon në ndërtimin e të ardhmens së Kosovës.
“Përdorni të drejtën tuaj kushtetuese dhe regjistrohuni online përmes platformës e-diaspora deri më 31 gusht 2024”, ka shkruar mes tjerash kryeministri Kurti.
Postimi i plotë:
Të dashur mërgimtarë,
Procesi i regjistrimit si qytetarë jo rezident të Republikës së Kosovës është mundësia juaj për të forcuar lidhjen me atdheun.
Duke u regjistruar, ju bëheni pjesë aktive e ndërtimit të së ardhmes së Kosovës dhe të vetë mërgatës.
Përdorni të drejtën tuaj kushtetuese dhe regjistrohuni online përmes platformës e-diaspora deri më 31 gusht 2024.
E krahas platformës e-diaspora, ju mund të informoheni dhe sipas nevojës edhe të ndihmoheni për t’u regjistruar, në objektet e komunave rajonale të Kosovës, nga zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Regjistrimi është i shpejtë dhe i lehtë, por me ndikim të madh. Të dhënat tuaja do të ndihmojnë në krijimin e politikave që mbështesin mërgatën, përmirësojnë shërbimet, si dhe forcojnë lidhjet kulturore dhe arsimore me atdheun.
Mërgata është pjesë e pandashme e kombit tonë, andaj ju ftoj që të regjistroheni secili dhe secila prej jush!
Ju faleminderit!