Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave të Kosovës që të mos marrin pjesë në takimin e ftuar nga kryeministri Albin Kurti.
Express merr vesh se Bordi i AKK-së ka vendosur që të mos marrin pjesë në këtë takim të ftuar nga kreu i ekzekutivit, për arsye se të njëjtit janë injoruar dhe nuk janë futur në Grupin koordinues anti-Covid.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka konfirmuar se ky vendim është marrë me kërkesë të Bordit.
Ndryshe, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19 në vend.
Në përbërjen që është përcaktuar nga Qeveria, nuk janë futur edhe kryetarët e komunave të Kosovës.
Sipas Qeverisë, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë do të caktojë sekretariatin e komitetit, ndërsa ky komitet obligon komunat që të themelojnë nën komitete komunale me qëllim të parandalimit dhe luftimit të pandemisë.
Takimi është paraparë të mbahet në ora 10:00.