Kosova është bërë shteti i parë që ka pranuar publikisht se po shqyrton mundësinë e ndërtimit të qendrave për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar.
Në prag të samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet të mërkurën në Londër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka konfirmuar pse janë duke u zhvilluar bisedime ndërmjet zyrtarëve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar lidhur me këtë iniciativë, raporton gazeta britanike “The Times“, përcjell Reporteri.net.
Siç raporton mediumi, kjo e bën Kosovën vendin e parë që konfirmon interesin e saj për planin e kryeministrit britanik, Keir Starmer për të krijuar një seri qendrash kthimi, ku do të dërgohen azilkërkuesit e refuzuar pasi të kenë shteruar të gjitha mundësitë e apelimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Kurti ka thënë se Qeveria ka ofruar të pranojë migrantë nga Britania, sepse ka një “detyrim” për t’ia kthyer ndihmën për rolin udhëheqës që ka pasur në forcën paqeruajtëse që mbrojti Kosovën kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
“Ne duam ta ndihmojmë Mbretërinë e Bashkuar. E konsiderojmë këtë si një detyrë miqësore dhe politike. Kemi kapacitete të kufizuara, por megjithatë duam të ndihmojmë, dhe aktualisht ka komunikim të rregullt mes ekipeve tona të zyrtarëve shtetërorë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe juristëve tanë, për të parë si mund të realizohet kjo në mënyrë të qetë dhe në të mirë të të dyja palëve.”
Ai tha se Kosova do të priste mbështetje shtesë nga Britania në formën e pajisjeve të sigurisë dhe ndarjes së informacionit të inteligjencës, për të luftuar kërcënimet që vijnë nga Serbia dhe Rusia.
“Ne dëshirojmë që mbështetja të jetë kryesisht në fushën e sigurisë — qoftë përmes marrëveshjeve strategjike apo përmes pajisjeve dhe projekteve që mund të realizojmë bashkë. Ekipet tona po punojnë për këtë, dhe mendoj se do të ketë një rezultat të suksesshëm. Sigurisht që duam të përfitojmë si shtet, por mbi të gjitha e konsiderojmë si detyrë tonën t’ju ndihmojmë, sepse ju na ndihmuat shumë dhe këtë nuk do ta harrojmë kurrë”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkohë, tri shtete të tjera të rajonit — Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina — e kanë refuzuar ofertën britanike për ngritjen e qendrave të tilla. Kryeministri shqiptar Edi Rama ka deklaruar se “asnjëherë në Shqipëri” nuk do të pranohej një marrëveshje e tillë, ndërsa homologu malazez Milojko Spajiq ka theksuar se Mali i Zi “nuk është pjesë e rrugës së kontrabandës së emigrantëve në Ballkan.”
Britania po kërkon partnerë në rajon si pjesë e përpjekjeve për të frenuar kalimet e paligjshme përmes Kanalit të La Manche, ku vetëm këtë vit janë regjistruar rreth 37 mijë emigrantë — një rritje prej 30 për qind krahasuar me vitin e kaluar./Reporteri.net