Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka qëndruar sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku priti bashkatdhetarët që po vijnë për pushime në Kosovë.
“Bashkëbiseduam për shërbimet në aeroport, por gjithashtu edhe për shpresat e tyre për të ardhmen. Qeveria e Republikës së Kosovës së fundmi ka marrë një vendim që i inkurajon bashkatdhetarët tanë të angazhohen për gjashtë muaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në kuadër të programit të diplomacisë qytetare”, ka thënë Kurti, transmeton Albinfo.ch.
Kurti foli edhe për lehtësimet që kanë bashkatdhetarët gjatë qëndrimit në vendlindje.
“Gjithashtu edhe në e-Kosova ne ofrojmë nxjerrjen online të certifikatave të gjendjes civile, të ekstraktit të lindjes, të martesës që po ashtu është një lehtësim për bashkatdhetarët tanë, të cilëve ne u kemi shumë borxh, për shkak se ata me kërkesën e tyre, aftësinë e tyre, historikun e tyre e kanë ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme edhe çlirimin e Kosovës, por edhe zhvillimin e demokratizimit të saj, prandaj oferta jonë me Valën është një mënyrë se si përpiqemi të lajmë një pjesë të vogël të borxhit që e kemi ndaj tyre”, ka thënë Kurti.