Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se të shtunën në Ohër ku do të takohet me presidentin serb Aleksander Vuçiq shkon me besimin për marrëveshje. Kurti tha se në Ohër nuk mund të ketë kapitullim të Serbisë sepse një gjë e tillë ka ndodhur në Kumanovë.
“Jam i interesuar për marrëveshje, shkoj me vullnet të mirë, me qëllime të mira dhe gjithashtu me besim të mirë që t’i normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë. Ndërkaq në Ohër nuk mund të ketë kapitull të Serbisë sepse kjo tashmë ka ndodhur në Kumanovë më 9 qershor 1999”, u shpreh Albin Kurti në një intervistë për emisionin 360gradë në Alsat.
Kurti ka komentuar edhe deklaratat pesimiste të presidentit serb Vuçiq.
“Edhe unë e dëgjova këtë deklaratë që refuzohet apriori refuzimi i një marrëveshje në Ohër. Unë nuk mendoj që kjo është qasje konstruktive dhe që dëshmon përkushtim. Nuk po them që nëse nuk ka nënshkrim atëherë kemi nënshkruar mosmarrëveshjen, por nuk mund të them se edhe pa nënshkrim mund të quhet marrëveshje me gjithë mend. Unë po e ritheksoj që do të jem i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ dhe që shkoj me vullnet, qëllim dhe besim të mirë por natyrisht që këtë nuk mund ta garantoj edhe për palën tjetër”, deklaroi Kurti.
Në takimin e Ohrit mes Kurtit e Vuçiqit, i thirrur nga shefi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borell do të merr pjesë edhe i dërguari special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.