Prishtinë-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale, që ishte i ftuar në orën 09:30, të intervistohej në cilësinë e dëshmitarit.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, e cila tha se nga Kryeministria janë njoftuar se Kurti është në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ajo tha se konform ligjit në fuqi, Prokuroria do ta përgatisë një ftesë tjetër për Kurtin.
“Prokuroria Speciale përmes thirrjes së rregullt e ka ftuar kryeministrin Albin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal që kjo prokurori e ka në hetim. Sot nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet. Prokuroria Speciale konform legjislacionit në fuqi do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti, për një datë tjetër. Ende nuk është vendosur data për ftesën tjetër”, ka njoftuar Kozmaqi para mediave.
Ndryshe, sipas ftesës zyrtare të lëshuar më datë 10 dhjetor 2024, Kurti do të duhej të paraqitet sot në orën 09:30, në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, të enjten e 12 dhjetorit njoftoi se Prokuroria Speciale i ka dërguar ftesë për t’u paraqitur në cilësi të dëshmitarit, kryeministrit Kurtit.
Bazuar në numrin e lëndës, Kurti është ftuar të dëshmojë në rastin e rezervave shtetërore.
Për këtë rast, më 18 gusht 2023 ishin arrestuar biznesmeni, Ridvan Muharremi, dhe dy zyrtarë të ministrisë së Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.
Por, Gjykata e Apelit më 31 gushtit 2023 kishte konstatuar se Themelorja nuk kishte arritur të vërtetojë dyshimin e bazuar se tre të dyshuarit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, që është kusht primar për ligjshmërinë e paraburgimit.
Ndërkaq, më 16 tetor 2024, Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga Prokurori i Shtetit kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit, me të cilin ishte ndryshuar aktvendimi i Themelores ashtu që Ridvan Muharremit, Hafiz Garës dhe Irfan Lipovicës u ishte ndërprerë masa e paraburgimit për t’u mbrojtur në liri.
Ndryshe, sipas dosjes së Prokurorisë të cilën e ka publikuar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se malli i paguar dhe i porositur për rezerva shtetërore – 200 mijë litra vaj, 120 mijë kg sheqer dhe 52.5 tonë grurë – nuk kishte ardhur në Kosovë. Vlera e këtij malli që nuk ka mbërritur në Kosovë sipas Prokurorisë është mbi 600 mijë euro.
Prokuroria Speciale kishte nisur të premten e 18 gushtit 2023 aksionin për bastisjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe shkoi edhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi.
Pas aksionit, dy zyrtarët e Ministrisë dhe biznesmeni u prangosën nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.
Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të Kodit Penal, kurse Ridvan Muharremi për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.
Ministrja Rozeta Hajdari kishte hënë se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.
Në mbrëmjen e së premtes (18 gusht 2023) kur ishin arrestuar të dyshuarit, Kryeministri Albin Kurti pati publikuar një video-mesazh, me të cilin ka akuzuar sistemin e drejtësisë së po tenton që të rikthejë në pushtet “ish-kastën e kalbur politike”. Kishte thënë se Rozeta Hajdari nuk është shkelëse e ligjit dhe nuk ka korrupsion te rezervat shtetërore./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.