Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e përbashkët të kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, ka thënë se të dyja shtetet kanë shumë punë për të bërë për të lehtësuar bashkëpunimet e natyrshme midis qytetarëve të të dyja shteteve.
Ai ka përmendur edhe poetin shqiptar Primo Shllaku me thënien e tij se “Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë është si kufiri mes dy barkusheve të zemrës”.
“Kuvendet kanë rol të rëndësishëm për miratimin e marrëveshjeve dy palëshe dhe poashtu edhe për monitorimin e zbatimit tyre. Komisionet e përbashkëta parlamentare të ngritura enkas për marrëdhëniet dhe marrëveshjet mes dy shteteve besoj se do të ndihmonin në këtë drejtim”, ka thënë Kurti.
I pari i ekzekutivit kosovar tha ndarja e 4 milionë eurove të buxhetit të Kosovës për Luginën e Preshevës duhet të jetë shembull edhe për Shqipërisë.
“Kemi punë përpara për të bërë jo vetëm për qytetarët tanë, por edhe për ndihmuar për sigurinë dhe jetesën e dinjitetshme të shqiptarëve në shtetet fqinje në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, si dhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës në Serbi. Shqiptarët në Serbi janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë, andaj ata kërkojnë vëmendje më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës”.
“Shqiptarët nuk janë fajtorë që janë autoktonë. Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë si Qeveri e Kosovës katër milionë euro për Luginën e Preshevës. Uroj të shërbejë kjo si një shembull edhe për Shqipërinë”, ka thënë Kurti. /Klankosova.tv