Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se që të ketë paqe dhe siguri mes Kosovës e Serbisë, duhet të ketë marrëdhënie normale me këtë shtet, raporton teve1.info
Kurti gjatë një konferencë për medie me kryeministrin irlandez, Jan Varadkar, tha se është i interesuar që ta nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë, por shtoi se shteti fqinj i ka shkelur 8 nga 11 nenet e kësaj marrëveshjeje.
“Ne dëshirojmë marrëdhënie normale me fqinjin tonë verior, Serbinë. Marrëdhëniet normale për neve janë marrëdhëniet evropiane të fqinjësisë së mirë sepse kjo është e rëndësishme për paqe dhe siguri, por gjithashtu edhe për rrugëtimin evropian . Pra për integrimin e Kosovës në familjen e madhe evropiane që paraqet edhe fatin tonë, edhe synimin tonë. Me datë 27 shkurt jemi dakorduar për marrëveshjen bazike, më datën 18 mars jemi dakorduar për aneksin e zbatimit. Problemi është që nga 11 nenet e marrëveshjes bazike, së paku tetë Serbia i ka shkelur më së paku 8. Ne kërkojmë siguri ligjore jo vetëm për zbatim të marrëveshjes por edhe për respektim dhe mos shkelje të saj. Kjo është arsyeja kryesore pse ne kemi kërkuar që të ketë nënshkrim të marrëveshjes”, u shpreh Kurti.
Ai tha se normalizimi i marrëdhënieve nënkupton marrëveshje normale dhe shtoi se kërkon nga BE që si një arbitër, gjithmonë të reagoj ndaj shkeljeve më të vogla që mund të bëhen, derisa shtoi se shkeljet nga ana e Serbisë janë të mëdha.
Ndërsa kryeministri irlandez, Jan Varadar, tha se mendon që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të themelohet.
“Nuk mendoj që është për mua ta vlerësoj këtë sepse është një proces që ne e respektojmë, mirëpo është qëndrimi i qeverisë irlandeze që masat kufizuese duhet të hiqen dhe ky është një pozicion që ia kam bërë edhe kryeministrit edhe zyrtarisht e kam bërë. Dhe është me rëndësi që komunat i zgjedhin kryetarët e komunave që ata të zgjedhën në mënyrë demokratike dhe të përfaqësojnë njerëzit që jetojnë nëpër ato zona dhe dua ta shoh edhe Asociacionin që po themelohet të serbëve në ato zona por nuk dua ta shoh që të kemi njëfarë mikroshteti të krijohet brenda Kosovës, kjo nuk do të jetë diçka e dobishme për të ardhmen”, u shpreh Varadkar.