Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar fillimin e vitit të ri shkollor për nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit.
Kurti për vitin e ri shkollor tha se kanë zgjedhur një rrugëtim të ri për të siguruar tekstet shkollore. Ai tha se këtë vit kanë ndarë edhe mjete shtesë për materiale shkollore të nevojshme për nxënësit.
Kurti, në veçanti ka uruar nxënësit që për herë të parë ulën në bankat shkollore.
“Në veçanti, uroj të gjithë nxënësit që për herë të parë ulen në bankat shkollore. Për ta sot fillon një rrugëtim i ri, i cili do të përcaktojë të ardhmen e tyre por edhe të shtetit të Kosovës. Për të përmbushur obligimin tonë për të siguruar tekstet shkollore, këtë vit kemi zgjedhur një rrugë të re. Po ashtu, si asnjë vit më parë, përveç teksteve shkollore po ndajmë edhe mjete shtesë për materiale shkollore të nevojshme për nxënësit tanë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kryeministri ka shkruar se për këtë vit shkollor arsimi dual do të zgjerohet në 12 profile të ndryshme, në 21 shkolla profesionale dhe 13 komuna.
“Ndërkohë që kemi miratuar Ligjin për Edukim në Fëmijërinë e Hershme, kemi finalizuar kurrikulën për edukim në fëmijërinë e hershme dhe jemi duke investuar në rritjen e përfshirjes së fëmijëve në këtë nivel të edukimit. Me punë e përkushtim do të realizojmë misionin tonë për një arsim cilësor, që edukon, shkollon dhe përgatit për përmbushjen e ëndrrave, synimeve dhe potencialit të rinisë sonë”, ka shkruar tutje Kurti.