Kryeministri Albin Kurti, duke folur për paralajmërimet për destabilizim në veri pasi të skadojë afati i vendosur për targat, tha se Milan Radoiçiq, i cili është në listën e zezë të Departamentit të Thesarit amerikan dhe ka urdhërarrest nga Kosova ka interes të destabilizojë veriun.
Kurti tha se problemi është që personat si Radoiçiq kanë mbështetje politike nga Beogradi, raporton Gazeta Express
“Sa i përket destablizimit në veriun e Kosovës, ata që duan destabilizim ata nuk e duan sundimin e ligjit. Pra sundimi I ligjit është duke u vendosur edhe në veriun e Kosovës, duke u luftuar krimi dhe kontrabanda, mirëpo ata që janë në listën e zezë të Thesarit Amerikan dhe ata që kanë urdhërarrest nga Prokuroria në Kosovë, ata që kanë punuar dhe punojnë për struktura ilegale natyrisht që kanë interes destabilizimin. Problemi është kur interesi I tyre gjen mbështetje politike në Beograd”, tha Kurti.
Shefi i qeveisë tha poashtu se bashkësia ndërkombëtare duhet ta ketë vëmendjen për mbështetjen politike që Beogradi I bën kriminelëve që duan ta destabilizojnë Kosovën.
“Unë besoj që faktorët ndërkombëtarë duhet të mbajnë shënim me shkronja të theksuara për këtë mbështetje politike që u vjen këtyre kriminelëve që e duan destabilizimin e Kosovës sepse e luftojnë shtetin e Kosovës”, tha ai.
Tutje, kryeministri Kurti u shpreh se po i bëjnë përgatitjen maksimale që vendimi për reciprocitet me targa të jetë në vijë me kushtetueshmërinë e Kosovës.
“Përgatitjen po I bëjmë maksimale që edhe me 1 gusht edhe me 1 tetor të shkojë gjithçka siç e thotë Kushtetueshmëria e Republikës sonë dhe sundimi I ligjit në vendin tonë”, tha ai në konferencë për media.