Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka mirëpritur mbështetjen e 66 deputetëve për aprovimin e Ligjit për për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Kurti në Facebook tha se pasuria e fituar e cila nuk arrin të justifikohet sipas tij, është e padrejtë, teksa konfiskimi i saj është drejtësi.
“Me mbështetjen e 66 deputetëve të Kuvendit të Republikës, Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme mori edhe aprovimin e dytë për miratimin e tij të plotë. Falënderoj secilin dhe secilën prej tyre. Pasuria e fituar por që nuk arrin të justifikohet është përfitim i padrejtë, është padrejtësi, madje e tillë që thellon pabarazitë. Konfiskimi i saj është kompensim për shoqërinë, është drejtësi”, tha ai.
Ndryshe edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët gjatë ditës së sotme e miratuan në lexim të dytë Byronë Shtetërore për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.