Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se rënia e Afrim Bunjakut është dëshmi që Kosova edhe i del zot vetes edhe ngadhënjen në çdo betejë.
Sipas tij, Kosova nuk ka burime të brendshme që e cenojnë sigurinë apo stabilitetin e të cilat nuk mund t’i kontrollojnë.
Kurti theksoi se anembanë Kosovës në çdo cep është shteti i Kosovës, ku sherbehet me nder e përkushtim.
“Dëshmorët janë dëshmi e orëve të historisë. Në orët e hershme të mëngjesit të 24 shtatorit para një viti Rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ra heroikisht në mbrojtje të kushtetutshmërisë e të ligjshmërisë, në mbrojtje të sovranitetit shtetëror dhe të integritetit territorial, në mbrojtje të rendit publik, të paqes e të sigurisë dhe kësisoj lartësoi shtetin e Kosovës edhe për popullin e Kosovës, por edhe për opinionin publik ndërkombëtar.”
“Rënia e Afrim Bunjakut është dëshmi që Kosova edhe i del zot vetes edhe ngadhënjen në çdo betejë. Sot që po flasim, Kosova nuk ka burime të brendshme që e cenojnë sigurinë apo stabilitetin e të cilat ne nuk arrijmë t’i kontrollojmë apo menaxhojmë. Anembanë Kosovës në çdo cep është shteti i Kosovës, shteti i Republikës demokratike dhe të pavarur të Kosovës, të cilës i shërbejmë me nder dhe me përkushtim.” – ka shkruar Kurti.
Më tej, Kurti njoftoi se numri i policëve me kadetë të rinj po rritet, teksa përmendi edhe policët që ishin në betejë bashkë me Afrim Bunjakun, nuk lejuan që kufoma e Afrim Bunjakut, trupi i pajetë i heroit, të bie në duart e forcave armike
“Numri i policëve me kadetë të rinj po rritet, morali i policisë sonë, edhe i ushtrisë tonë, kurrë s’ka qenë më i lartë. Andaj kjo sakrificë, ky flijim i rreshterit të policisë, heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku ia ka vlejtur fort për policinë, për shtetin dhe për gjeneratat e ardhshme. Duke rënë Afrim Bunjaku, nuk kanë rënë edhe shumë policë të tjerë, dhe, ata policë të cilët ishin në betejë bashkë me të nuk lejuan që kufoma e Afrim Bunjakut, trupi i pajetë i heroit tonë, të bie në duart e forcave armike. E forcat të cilat ishin të financuara e të dirigjuara nga Serbia me paramilitarë të cilët kishin shumë më tepër armatim sesa Afrim Bunjaku me shokë, ikën me turp, i lanë të vrarët e të plagosurit e tyre dhe sot fshihen nëpër Serbi, sepse e dinë që e kanë humbur betejën njëherë e përgjithmonë me shtetin tonë dhe popullin tonë liridashës.” – ka shkruar Kurti në Facebook.
“Me këtë rast duhet theksuar që Serbia është përgjegjëse andaj Serbia duhet të japë përgjegjësi, e në këtë pikë ne kërkojmë mbështetjen, ndihmën, përkrahjen, e faktorëve ndërkombëtarë.” – përfundoi ai.