Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti duke ju referuar raportit të Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve të publikuar nga organizata Henley, ka thënë se Kosova është e para në rajon në mesin e shteteve më sigurta për të investuar.
Ai ka thënë se sipas këtij raporti, Kosova është në mesin e shteteve më të sigurta në botë për të investuar.
Nga 226 shtete, Kosova renditet në vendin e 26-të.
“Jemi të parët në rajon në këtë indeks, si dhe shumë pozicione përpara disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Ky rankim i Kosovës është dëshmi e radhës e rritjes ekonomike dhe fuqizimit të sundimit të ligjit dhe sigurisë, sektorë të cilët bëjnë të mundur që të kemi ambient të përshtatshëm për të bërë biznes dhe të ofrojmë mundësi për investim në shumë fusha. Kosova si vend i sigurt për të investuar, sipas Henley, vjen si lajm vetëm disa muaj pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) e hoqi vendin tonë nga lista e Shteteve në Situata të Brishta dhe Konflikti, si dhe pak ditë pasi i njëjti institucion vlerësoi se Kosova do të vazhdojë të ketë edhe për këtë vit rritjen më të lartë ekonomike në rajon. Përkundër krizave globale dhe sfidave të shumta nga faktorë të jashtëm, shteti ynë vazhdon të forcohet, të ofrojë kushte më të mira për zhvillim socio-ekonomik dhe investime të sigurta”, ka shkruar Kurti.