Kriza energjetike në vend po vazhdon të jetë diskutimi. Kryeministri i vendit Albin Kurti ka thënë se këtë krizë nuk po e kalon vetëm Kosova por edhe vendet e regjionit dhe Evropës.
Mbrëmë, Qeveria ka mbajtur dy vendime, ku në njërën prej tyre janë ndarë 20 milionë euro për KEK-un, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kreu i Ekzekutivit ka thënë se kjo është bërë me qëllim të sigurimit të furnizimit stabil për qytetarët.
“Pas miratimit në Kuvend të buxhetit për vitin 2022, në vlerë prej 2 miliardë e 748 milionë, mbrëmë mbajtëm mbledhjen e 49-të të Qeverisë Republikës së Kosovës, në të cilën miratuam dy vendime. Pakos së Ringjalljes Ekonomike i shtuam masën 3.7 Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike. Ndamë 20 milionë euro për importin e energjisë elektrike, me qëllim të subvencionimit të konsumit, sigurimit të furnizimit stabil për qytetarët dhe të evitimit të rritjes së çmimit të energjisë”, ka thënë ai.
Kurti ka shtuar se këtë krizë të madhe të energjisë “do ta kalojmë së bashku”.
“Së bashku do ta tejkalojmë edhe këtë krizë të madhe të energjisë, nëpër të cilën muajve të fundit po kalojnë të gjitha vendet e regjionit dhe Evropës”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, në seancën e djeshme të Kuvendit është miratuar edhe buxheti për vitin 2022. Ky buxhet do të jetë në shumën prej 2.7 miliardë euro.