Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar heroin Luan Haradinaj në 27-vjetorin e rënies së tij.
Kurti në një postim në Facebook, ka shkruar se në atë ditë të vitit 1997, Luani i Gllogjanit është kthyer në luan të UÇK-së.
“Nga ajo kohë do të duheshin edhe gjashtë muaj që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të shfaqej publikisht, por Luani me vëllezër dhe shokë kishte vite që punonin për atë ditë. Me aktivitetet dhe ndërlidhjet mes grupeve, me aksionet e armatosura, me furnizimet me logjistikë dhe me shembullin e angazhimit të tij me përkushtim e trimëri, Luani i Gllogjanit, ishte kthyer në luan të UÇK-së. Sot u bënë 27 vite nga dita e rënies së Luanit, në një kohë kur ai ishte vetëm 23 vjeçar”, shkroi Kurti.
Derisa, kryeministri tha se gjaku i Luan Haradinajt, sipas tij, i skuqi gurët e kufirit që ai i kishte ëndërr t’i shembte mes barrierash që duheshin eliminuar në rrugën e vështirë për bashkimin e shqiptarëve.
“Në grupin që po i printe Luani, ishte vëllai i tij, Ramushi, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Ali Ahmeti, Emrush Xhemajli, Rafet Rama, Gani Rama e Selim Krasniqi. Kur iu afruan zonës kufitare në Qafëmullar, ata u ndeshën me ushtrinë jugosllave, në një terren të zhveshur dhe në një reliev të egër malor. Luani mbeti i vrarë në vend, kurse Rafeti, Fehmiu dhe Ramushi u plagosën. Gjaku i Luan Haradinajt, i skuqi gurët e kufirit që ai i kishte ëndërr t’i shembte mes barrierash që duheshin eliminuar në rrugën e vështirë për bashkimin e shqiptarëve”, shtoi kryeministri.
Ndryshe, sot mbushen 27 vjet nga rënia e heroit Luan Haradinaj, në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj 1997, në kufirin shqiptaro -shqiptar