Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sot në takimin e mbajtur në Bruksel e ka kuptuar se pse sipas tij, ka gjashtë muaj që nuk është duke ecur puna me zbatimin e sekuencuar të marrëveshjes.
Kjo sepse sipas Kurtit, shteti serb ka i ka vënë një pengesë kapitale që është kushtëzimi i Serbisë.
E për të njëjtin kushtëzim Kurti tha se është bërë tashmë qëndrim i të dërguarit special të BE-së, Miroslav Lajçak.
“Unë sot e kam kuptuar pse ka gjashtë muaj që nuk ecë puna me zbatimin e sekuencuar të marrëveshjes, sepse i është vënë një pengesë kapitale çysh në fillim, e që është kushtëzimi i Serbisë. Unë këtë dokument nuk e kam pasur më herët, nuk e kam ditur, unë kam besuar që janë qëndrime të njërës palë, mirëpo për mua tash është e qartë se kushtëzimi i Serbisë është shëndrruar në qëndrim të ndërmjetësit Lajçak. Për të ecur përpara duhet të tejkalohet kjo”, tha Kurti para gazetarëve.
Kurti tregoi se gjatë këtij takimi të sotëm ka propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe të Aneksit të Zbatimit të Ohrit.
“në këtë takim të nivelit të lartë, unë kam propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit dhe të Aneksit të zbatimit të Ohrit të 18 marsit. Këtë propozim këtë sekuencë se si duhet të jenë hapat për të zbatuar marrëveshjen bazike për të cilën jemi dakorduar unë mund të ua shpërndaj të gjithë juve në fund të kësaj konferenca për media. Pala tjetër pra presidenti i Serbisë nuk ka dhënë asnjë propozim dhe takimi nuk ka pasur një rezultat. Nuk ka mundur të ketë kompromis, meqenëse nuk mund të ketë kompromis midis propozimit me sekuencë dhe kushtëzimit të vjetër”, tha Kurti gjatë konferencës për media drejtpërdrejt nga Brukseli.
Tutje, Kurti tha se ka kërkuar të shoh edhe propozimin që e ka dhënë pala serbe, por tha që ndërmjetësuesit e dialogut nuk ishin në gjendje ta sjellin atë.
“Kur unë kërkova gjatë këtij takimi që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia, sepse mu tha që ka një të tillë ndërmjetësit nuk ishin në gjendje ta sjellin. Dhe, vetëm pas përfundimit të takimit mu dha një dy faqësh në anglisht dhe në serbisht, i cili paraqet një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj që do të thotë nuk mund të jetë udhërrëfyes i sekuencuar si propozim i palës serbe, por që në fakt ishte dokument i kushtëzimit të Serbisë që njëherë duhet të zbatohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, pra ajo marrëveshja para 10-vjetëve, e më pastaj eventualisht mund të kalojmë në zbatimin e kësaj marrëveshje bazë”, tha kryeministri i vendit.
Ndërkohë i pari i Qeverisë së Kosovës e konfirmoi që një propozim të tillë nuk e ka pranuar.
“Mua mu desh të them se nuk jemi në prillin e vitit 2013…, nuk është marrëveshja e vitit 2013. Qartë neni 10 i marrëveshjes bazike thotë që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut në Bruksel, të cilët janë të obligueshme dhe valide dhe janë 39 sosh gjithsej, por nuk mundet nga neni 10 nga 39 marrëveshje, të përzgjidhet vetëm një e tillë dhe të vendoset sikurse qerrja para kuajve, të bëhet edhe thelb edhe parakusht. Pra, një kushtëzim të tillë unë nuk e kam pranuar”, shtoi ai./teve1.info/