Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklarim në Twitter, ka falënderuar ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, për rolin si dhe përkushtimin e tij në arritjen e marrëveshjes për targat me Serbinë.
Kryeministri Albin Kurti me këtë rast ka shkruar se tashmë është koha për hapa të mëdhenj përpara.
“Nuk ka kohë për ambicie të vogla, është koha për hapa të mëdhenj”, deklaroi Kurti.
“Pajtueshmëria e djeshme hap rrugën për bisedime intensive për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë bazuar në propozimin e BE-së të mbështetur nga Franca, Gjermania dhe ShBA-të”.
Ai tha se i është mirënjohës ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, për rolin, mbështetjen dhe përkushtimin e tij.
Ndryshe, një ditë më parë Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për targat në Bruksel. Sipas kësaj marrëveshje, Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me akronimet e qyteteve të Kosovës, kurse Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve./Rtklive/