Në prag të ndeshjes së fundit në grupin e Ligës së Kombeve kundër Lituanisë, kryeministri Albin Kurti ka mbështetur Kombëtaren e Kosovës, pas vendimit për t’u tërhequr nga fusha e ndeshjes kundër Rumanisë në Bukuresht për shkak të fyerjeve raciste dhe antiKosovë nga tifozët rumunë.
Presidenti i FFK-së Agim Ademi ka falënderuar kryeministrin Kurti për vizitën dhe mbështetjen e tij, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes institucionale për Kombëtaren e Kosovës.
“Ju përgëzoj për lojën e shkëlqyeshme që keni bërë në Bukuresht, ku keni dominuar në fushën e gjelbër, dhe në të njëjtën kohë shpreh solidaritetin tonë të plotë me qëndrimin që keni mbajtur aty. Ai është qëndrim parimor, i drejtë dhe i dobishëm, edhe për Kosovën, edhe për futbollin, edhe për secilin qytetar të vendit tonë, i cili është ndier i përfaqësuar me deklaratën dhe qëndrimin e kapitenit Amir Rrahmani, për çka ju përgëzoj e ju falënderoj nga zemra”, tha Kurti.
Kryeministri vuri theksin te rëndësia e drejtësisë dhe unitetit përballë sfidave të tilla në të ardhmen.
“Nuk është hera e parë që po na ndodh një situatë e tillë. Thirrje shoviniste kundër Kosovës dhe shqiptarëve, thirrje raciste kundër lojtarëve tanë dhe popullit tonë kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Vetëm se tash është mbushur kupa. Dhe nuk ka vend në kupë për më shumë sulme të tilla denigruese që janë të papranueshme në botën e civilizuar. Kur kjo ndodh në një shtet, i cili ende nuk na ka njohur, gjithçka bëhet edhe më e rëndë”, shtoi kryeministri.
Ai premtoi mbështetje institucionale dhe përfshirje në arenën ndërkombëtare për të luftuar sjelljet e tilla.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të bëjmë gjithçka që këtë betejë ta vazhdojmë edhe në arenën ndërkombëtare politike e diplomatike, por edhe në aspektin ligjor e juridik, në mënyrë që UEFA dhe FIFA t’i dënojnë ata që e meritojnë”, nënvizoi shefi i ekzekutivit kosovar.
Në fund të fjalimit të tij, kryeministri Kurti citoi deklaratën e kapitenit të Kombëtares Amir Rrahmani pas ndeshjes:
“Po e përfundoj këtë fjalë timen duke e cituar Amir Rrahmanin saktësisht. “Dua t’i bëj thirrje UEFA-s dhe FIFA-s të mos lejojnë këso gjëra. Kosova ka pasur të kaluar të vështirë, luftë masakra e gjithçka, s’ka qenë e lehtë të arrihet këtu, andaj meritojmë respekt. Të gjithë duhet ta dinë se Kosova është Kosovë, ose Kosova është Shqipëri, Kaq, këtu mbaron”, ka thënë Kurti.