Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka reaguar pas tërheqjes së numrit të renditjes për subjektet politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të zhvillohen më 28 dhjetor.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje, me numrin 116, do të angazhohet me qytetarët për të arritur një fitore edhe më të madhe në këto zgjedhje.
“Me numrin 116 bashkë me qytetarët angazhohemi për një fitore edhe më të madhe”, ka shkruar Kurti.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të dielën ka bërë tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike të certifikuara në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që pritet të mbahen më 28 dhjetor.
Sipas shortit, Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë numrin 116, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë numrin 130 , Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë me numër 123, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me numër 129, Nisma Socialdemokrate do të mbajë numrin 122, ndërsa Lista Serbe do të ketë numrin 127.








