Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka publikuar pamje nga droni në të cilat shihen disa pjesëtarë të ushtrisë serbe.
Në një postim në rrjetin social Facebook, kryeministri e ka cilësuar si jo normal afrimin e automjeteve ushtarake të Serbisë.
“Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se ‘Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar’”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën”, ka shtuar ai.
Kurti ka thënë se është i vetëdijshëm se “Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën”.
“Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, ka shkruar ai në Facebook.