Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, duke folur për dialogun me Serbinë, ka thënë se do t’i kërkojë borxhin e Serbisë. “Do të kemi ekipin tonë negociator dhe aty do kemi dhe vijat tona të kuqe”, tha ai.
“6 vjet kemi bërë negociata me Serbinë dhe për çdo javë e çdo ditë thoshin që na përshpejton integrimin, por ne ende nuk kemi liberalizim vizash. Nuk kam si mos konstatoj një urgjencë fallco të kësaj çështje që na detyron të veprojmë pa menduar. Dhe të mendosh do të thotë t’ia kërkosh borxhin Serbisë, se Serbia është borxhli fortë, se na ka vrarë 10 mijë civilë, ka përdhunuar 20 mijë vajza nëna e motrat tona dhe mbi një mijë fëmijë janë vrarë para 20 vjetëve kur presidenti serb ishte ministër i informatave”, tha Kurti në intervistë për ABC News.
Ai pranon se do të ketë dialog me Serbinë, por me parime të qarta dhe të sakta
“Unë fola për fakte, jo për emocione, dhe me Presidentin serb do kemi dialog me parime të qarta dhe të sakta dhe do kemi shqyrtim paraprak të marrëveshjeve përgjatë 6-vjeçarit. Çfarë është realizuar e jo dhe çfarë ndikimi ka pasur në Kosovë e rrotull. Do të kërkojmë borxhin e Serbisë. Do të kemi ekipin tonë negociator që do e prij unë dhe aty do kemi dhe vijat tona të kuqe. Unë i kam shprehur ato, por kësaj radhe dua t’i bëj bashkë jo vetëm me LDK, por dhe me opozitën e Kosovës jo me arrogancë, por te unë do gjejnë një bashkëpunim të mirë”, tha Kurti./abcnews.al/