Në 38- vjetorin e rënies së dëshmorëve Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar familjet e këtyre dëshmorëve në Gjilan.
Në familjet Malaj dhe Berisha kryeministri Kurti ka rikujtuar veprimtarinë patriotike dhe heroizmin e dy dëshmorëve, të cilët u vranë duke luftuar në një shtetrrethim të hekurt nga forcat serbe të policisë, në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, më 11 janar të vitit 1984.
Kryeministri Kurti tha se veprimtaria e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës frymëzon e inspiron secilin brez shqiptarësh, jo më pak se rënia e tyre heroike.
“Liria kombëtare dhe drejtësia shoqërore u bënë bashkë te këta dy heronj të pavdekshëm, me jetën dhe vdekjen e tyre. E sakrifica e tyre u bë flakë e janarit që vazhdon të ndriçojë rrugën tonë”, tha kryeministri Kurti.
Lagja ku luftuan këta dy heronj mori emrin Kodra e Trimave.