Kryeministri kosovar, Albin Kurti pas takimit me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan në Stamboll ka lavdëruar raportet e Kosovës me Turqinë.
“Është kënaqësi e veçantë që me ftesë të presidentit Erdogan ndodhem sot në qytetin historik të Stambollit – kryeqendër e dy perandorive, kryqëzim civilizimesh e kulturash, pikëtakim vlerash. Që nga Mesihu i Prishtinës, poeti prishtinas i shekullit të 16-të, e te Sami Frashëri e Hasan Prishtina, Stambolli ishte gravitim edhe i popullit tonë. Për ne Samiu është ndër etërit e rilindjes sonë kombëtare, për popullin turk konsiderohet prej themeltarëve të intelektualizmit modern. I po kësaj vije është edhe Hasan Tahsini, rektori i parë shqiptar i Universitetit të Stambollit, ku student ishte Hasan Prishtina, emrin e të cilit e mban sot Universiteti i Prishtinës. Në Stamboll nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar”, është shprehur Kurti.
Ai tutje ka thënë se me presidentin Erdogan kanë biseduar për raportet miqësore Kosovë-Turqi dhe për mënyrat se si mund t’i thellojnë ato
“Folëm për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, të sigurisë e të mbrojtjes. Diskutuam edhe për zhvillimet në rajon dhe më gjerë. Jemi gjithmonë mirënjohëse për rolin e Turqisë në intervenimin e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, për ndaljen e gjenocidit mbi popullin e Kosovës e që solli çlirimin dhe paqen në vend; për kontributin e pakursyer në ndërtimin e institucioneve; shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Republikës sonë; dhe për mbështetjen e plotë e të pakursyer të Turqisë në politikën e jashtme.e. E falënderova presidentin Erdogan për përkrahjen e zëshme të Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Këshill të Evropës. Në NATO na bashkon orientimi. Në Këshill të Evropës vlerat. Në të dyjat, na bashkon momenti kritik nëpër të cilin po kalon kontinenti i Evropës”, ka thënë Kurti.
Ai më tej ka thënë se Qeveria po synon të krijojë mjedis për të tërhequr investitorë të huaj.
“Turqia është ndër partneret tona kryesore ekonomike e tregtare, na gëzon kjo, por s’mjafton. Ta shfrytëzojmë aktualitetin e bashkëpunimit për të arritur potencialin e madh të tij”, ka shtuar Kurti.