Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qenë për vizitë në Gjilan ku është takuar me kryetarin e Komunës, Lutfi Haziri.
Ky takim u zhvillua në kuadër të luftës së Kosovës kundër koronavirusit dhe masave parandaluese që janë ndërmarrë në komunat ku janë paraqitur raste me këtë pandemi.
Kryeministri Kurti ka thënë se organizimi qendror e lokal është shembullor, në luftën kundër koronavirusit dhe se ky bashkëpunim duhet të vazhdoj sidomos në muajin prill, i cili është edhe vendimtar për daljen nga kriza.
“U njoftuam për së afërmi me të të gjitha përgatitjet dhe masat parandaluese. Jemi të gatshëm, të vullnetshëm dhe të përkushtuar që lakoren e shpërndarjes së COVID-19 ta shtyjmë sa më shumë në kohë dhe ngritjen e saj ta bëjmë sa më të paktë në mënyrë që ta parandalojnë këtë pandemi. Organizimi ynë qendror e lokal është shembullor, duhet ta vazhdojmë sidomos në muajin prill sepse është muaj vendimtar që nga kjo krizë të dalim sa më shpejtë. Nuk kemi kohë për të humbur me çështjet e ping-pongut politik”, u shpreh Kurti ndër të tjera.
Ndërkaq, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se gjatë këtyre javëve kanë pasur bashkëpunim të vazhdueshëm me nivelin qendror.
“Këto tri javë i kemi pasë aktive në bashkëpunim me nivelin qendror. Nga 15 rastet, tre i kemi të shëruar. Tendenca është në rënie, e kemi lokalizu dhe po e menaxhojmë infeksionin në vendin ku është gjetë deri tash. Ne jemi të koordinuar në shkallën e parë me ministrin Vitia”, u shpreh Haziri.