Kryeministri i vendit Albin Kurti është deklaruar një ditë pas mbledhjes së Qeverisë të kryesuar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ku u mor vendim për sanksione shtesë ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Kurti ka shkruar se Republika jonë është ndër të parat që është rreshtuar me botën demokratike në vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe financiare ndaj Federatës Ruse, pas invazionit dhe agresionit ushtarak në Ukrainë.
“Andaj, në raport me situatën atje, e në përputhje me paketën e sanksioneve të ndërmarra nga BE dhe ShBA, vendosëm sanksione shtesë ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë. Vendosëm masa kufizuese edhe ndaj Grupit Wagner – një entitet ushtarak privat i painkorporuar, me bazë në Rusi”, tha ai.
Sipas tij me qëllim të mbrojtjes së paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, vendosën masa restriktive për terrorizëm ndaj ISIL (Da’esh), Al-Qaeda dhe personave fizikë dhe juridikë, subjekteve ose strukturave tjera të lidhura me to.
“Duke marrë parasysh nevojën për krijimin e mekanizmave sa me efikas, miratuam Projektligjin për zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shënjestruara. Po ashtu, plotësuam Programin Legjislativ për vitin 2022 të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Miratuam nismën për negocimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në fushën e Arkivave ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit. I hapëm udhë bashkëfinancimit të bursave të arsimit të lartë në nivelin master me miratimin e nismës për marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës”, ka shkruar Kurti në “Facebook”./rtklive/