Kryeministri i vendit, Albin Kurti nuk ka pranuar të deklarohet para gazetarëve pas arrestimit të Ridvan Muharremit, dhe dy zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë.
“Unë ju ftoj të gjithëve që nga sot të aplikoni për këtë masë të tretë efiçiencës së energjisë. Tash e kemi një koktej modest. Për çështje të tjera jashtë efiçiencës që ju intereson deklarohemi më vonë gjatë ditës së sotme”, deklaroi Kurti pas ceremonisë së lansimit të thirrjes për mbështetje për investime në pajisje shtëpiake efiçiente, përcjell teve1.info
Pas një aksioni disaorësh mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës ka arrestuar Ridvan Muharremin, në lokalin e tij “Bukë e Zemër”.
PK-ja ka zhvilluar një aksion në shtëpinë dhe lokalin e Muharremit, njeriut që në disa përgjime përmendet rreth sigurimit të rezervave shtetërore.
Bastisje ka pasur edhe te Ministria e Tregtisë, ku sipas raportimeve janë arrestuar dy zyrtarë të MINT-it, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, nën dyshime për dallavere me rezervat shtetërore.