Qeveria e Kosovës në detyrë ka zhvilluar një mbledhje të thirrur, ku kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur për marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kurti theksoi se njoftimi i SHBA-së nga java e kaluar lidhet vetëm me pezullimin e planifikimit për dialogun strategjik dhe jo me vetë dialogun si proces të nisur.
“Sa i përket njoftimit të ambasadës për njoftimin nga java e kaluar, së pari duam të qartësojmë se java e kaluar bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për dialog strategjik e jo për pezullim të dialogut strategjik si proces të nisur. Ne as te komunikimi i rregullt që e kemi, nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime”, tha Kurti..
Ai shtoi se opozita po e stërmadhojnë situatën, por qeveria nuk e minimizon rëndësinë e zhvillimeve.
“Ndonëse opozitarët po e stërzmadhojnë çfarë do të ndodhë me raportet e Qeverisë sonë me Qeverinë Amerikane, unë nuk dua t’i minimizoj zhvillimet. I siguroj qytetarët se Qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e Ambasadës Amerikane”, tha ai.
Kurti gjithashtu foli për tre shtyllat kryesore të bashkëpunimit me SHBA-në diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim.
“Jemi përkujdesur që raporti jonë me SHBA-të të forcohet në tri shtylla kryesore, në diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim. Në shtyllën e diplomacisë kemi disa dallime qëndrojnë në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë. Derisa pajtohemi për vlera, interesa dhe qëndrime, me gjithë këto vështirësi në këtë shtyllë padyshim se ka ecje substanciale në dy shtylla të tjera, atë të mbrojtjes dhe të zhvillimit”, tha Kurti.
Ai po ashtu theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së janë të thella dhe të qëndrueshme, duke i kaluar qeveritë e ndërtuara në histori të gjatë dhe themele të forta.
“Jemi të bindur se komunikimi i vazhdueshëm dhe i rregullt do të bëjë të mundur të ecim përpara së bashku”, përfundoi Kurti.