Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qeverisja e mirëfilltë, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve janë vizion i Qeverisë.
Këtë deklaratë Kurti e bëri në konferencën e parë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë me bizneset e Prishtinës.
“Zhvillimi ekonomik s’mund të arrihet nëse nuk japim përkrahje te zhvillimi i sektorit privat me nxitje të prodhimit dhe rritje të eksportit që do të ndikoj në përmirësimin e bilancit tregtar dhe shtimin e punësimit. Sipas vlerësimit të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia jonë ka një rritje të përshpejtuar prej 9.9 përqind të bruto produktit vendor për këtë vit, krahasuar me një vit më parë, të ardhurat tatimore janë shtuar me 33.5 përqind në periudhën janar-shtator ndërkaq eksportet me 68 përqind, kurse numri i të punësuarve prej mars-shtator është rritur me 9 mijë e 351 punonjës. Shtimi i të hyrave tatimore është bërë pa ndryshuar politikat fiskale”, tha Kurti.