Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, është bllokuar nga mosvotimi i opozitës.
Megjithatë, Kurti deklaroi se Qeveria mund ta vazhdojë mandatin deri në fund edhe pa marrëveshje ndërkombëtare, teksa shtoi që me këtë mosvotim nga opozita, po pësojnë qytetarët e vendit.
“Për disa muaj, Qeveria ka sjellë në ratifikim një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare, mirëpo për shkak të mosvotimit nga opozita, ato nuk po kalojnë. Qeveria mund ta vazhdojë mandatin deri në fund edhe pa marrëveshje ndërkombëtare, por me këtë mosvotim nga opozita humbin qytetarët. Projektet nuk bëhen, humbin grantet dhe kreditë e buta, e në vend të tyre, pastaj duhet t’i shfrytëzojmë paratë e taksapaguesve dhe të marrim kredi me kushte të tregut me norma interesi shumë fish më të larta”, potencoi Kurti gjatë seancës plenare në Kuvendin e Kosovës, përcjell teve1.info
Po ashtu, Kurti vlerësoi që opozita ka për detyrë të tregojë se si mund të veprohet më mirë, e që sipas tij, ata po e bëjnë të kundërtën e saj.
“Detyrë e opozitës është të tregojë se si mund të bëhet më mirë, e jo t’i bllokojë punët në kurriz të qytetarëve. Nuk mund të thuhet që po e bëj opozitën, e po brengosem për qytetarët kur bllokohet ligji për çmimet tavan, nuk mund të thuash po bëj opozitën e po brengosem për punëtorët kur bllokon ligjin për pagën minimale. Nuk mund të thuash po bëj opozitën e po brengosem për ekonominë e vendit kur bllokohen marrëveshjet ndërkombëtare për projekte zhvillimore”, u shpreh tutje Kurti para deputetëve.
Teksa në fund, kryeministri tha se marrëveshjet që tashmë po presin për ratifikim, nuk janë aspak të dëmshme për vendin.