Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pagat në Kosovë do të rriten, por nuk do të ndjekin rritjen ekonomike, e cila sipas tij vitin 2021 ka qenë 9.9 për qind.
Para deputetëve, Kurti tha pagat do të ndjekin rritjet e produktivitetit brenda rritjes ekonomike.
“Gjatë këtyre 11 muajve kemi shënuar rezultate të mira në ekonomi, BQK ka konstatuar rritje ekonomike prej 9.9 për qind. Pra BQK-ja e cila edhe më tej e ka menaxhmentin e mëhershëm ka thënë se në Kosovë rritja është 9.9 për qind që është e pashembullt, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor… Pagat në Kosovë duhet të rriten dhe do të rriten. Por ato nuk mund të ndjekin automatikisht rritjen ekonomike. Pagat e ndjekin rritjen e produktivitetit brenda rritjes ekonomike. Në anën tjetër pagat mund të ndjekin afër rritjen ekonomike në rritjen e tyre vetëm atëherë kur kemi papunësi të ulët”, tha ai.
Kreu qeveritar foli edhe për migrimin e të rinjve, ku tha se numri më i madh i atyre që po e lëshojnë Kosovën është se nuk po gjejnë punë në profesionin e tyre.
“Përveç papunësisë që është problem i madh në Kosovë është shumë problem i madh edhe pamundësia e punësimit në profesion. Një numër i konsiderueshëm i të rinjve tanë që po migrojnë nuk është që po migrojnë se s’kanë vend pune, por s’kanë vend pune në profesionin e tyre. Pasi kur të mbarosh fakultetin juridik ose ekonomik nuk mund të punosh kamerierë gjithë jetën. Ajo çka është themelore që ne të bëjmë si reformë të përbashkët është kjo lidhja e tregut të punës dhe arsimimin profesional. Numri më i madh i atyre që po e lëshojnë Kosovën është se nuk gjejnë punë në profesionin e tyre”, tha ai.
Në foltoren e Kuvendit, Kurti shprehu mbështetjen edhe për pavarësinë dhe sovranitetin territorial të Ukrainës.
“Republika e Kosovës, Qeveria e Kosovës padyshim që mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe sigurisë deri më tani dhe në vijim ne do të jemi përherë të bashkërenduar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”, tha kryeministri Kurti.