Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konferencë për media ka paralajmëruar sulme të tjera në veri të vendit, “veçmas para dhe pas Vitit të Ri”.
“Kësi metodash të sfidimit të sigurisë në Republikën e Kosovës, të cilat për pasojë kanë jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike të cilat Serbia i nxitë fort, pastaj shkaktimin e panikun në mesin e qytetarëve, e krejt në fund, edhe krijimin e një imazhi të një vendi jostabil pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri”, tha ai.
Kurti tha se janë të përkushtuar që këto metoda të “neutralizohen maksimalisht”, përkundër se sulme të tilla, siç tha, janë sfiduese edhe për shtete të fuqishme.
“Mirëpo ne jemi të përkushtuar që edhe këtë metodë të mbetur të Serbisë ta neutralizojmë maksimalisht, përkundër faktit se sulmet e tilla terroriste janë sfiduese edhe për shtete të fuqishme, veçmas nëse këto sulme e kanë mbështetjen dhe sponsorizimin e një shteti tjetër, në këtë rast si Serbia”, tha ai.