Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke vlerësuar se bashkimi politik i shqiptarëve po përkthehet në përfaqësim më të madh parlamentar.
Sipas Kurtit, “Koalicioni Shqiptar” ka marrë gjithsej 27.230 vota në këto tri komuna. Ai ka theksuar se, pas aplikimit të rritjes prej 35 për qind të koeficientëve zgjedhorë për pakicat kombëtare, këto vota përllogariten në ekuivalentin e 36.761 votave për ndarjen e mandateve.
Kurti ka bërë të ditur se, sipas projeksioneve preliminare, koalicioni ka dy mandate të projektuara në Kuvendin e Serbisë, ndërsa gara për mandatin e tretë mbetet e hapur.
“Bashkimi politik i shqiptarëve po shndërrohet në përfaqësim më të fuqishëm parlamentar”, ka deklaruar Kurti.
Në reagimin e tij, kryeministri i Kosovës është ndalur edhe te zhvillimet politike në Serbi, duke thënë se presidenti Aleksandar Vuçiq ka pranuar publikisht humbjen përballë Listës Studentore. Sipas Kurtit, edhe lista e Ivica Daçiqit, bazuar në projeksionet preliminare, rrezikon të mbetet nën pragun zgjedhor prej 3 për qind.
Në fund, Kurti ka uruar qytetarët dhe subjektet politike shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë për bashkimin politik, të cilin e ka cilësuar si faktor të rëndësishëm për rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë.










