Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur lajm të mirë liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit.
Ai ka thënë se Parlamenti Evropian miratoi udhëtimin pa viza për qytetarët duke filluar nga 1 janari i vitit 2024.
Sipas Kurtit, ky është një hap i rëndësishëm për Bashkimin Evropian, si dhe kontribuon në pasurinë që ofron BE.
“Lajm i mirë për Kosovën sot! Parlamenti Evropian miratoi udhëtimin pa viza për qytetarët tanë duke filluar nga 1 janari 2024. Kjo na sjell një hap të rëndësishëm më pranë Bashkimit Evropian dhe duke kontribuar në pasurinë që ofron BE. Faleminderit eurodeputetëve për mbështetjen e tyre”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Përmes një seance plenare, Parlamenti Evropian ka miratuar vendimin final për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Pas këtij hapi pason nënshkrimi i tekstit që garanton liberalizimin e vizave për Kosovën, përcjell teve1.info
Liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi në datën e funksionalizimit të sistemit ETIAS por jo më vonë se 1 janari 2024, pra, edhe nëse ky sistem nuk hyn në funksion deri në atë datë.
Sipas rregullave të Parlamentit Evropian, liberalizimi i vizave nënkupton që qytetarët e Kosovës do të kenë kohë të qëndrojnë 90 ditë në Zonën Shengen, në një periudhë prej 180 ditësh.