Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla kanë përshëndetur udhëtarët nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, në ditën e parë të liberalizimit të vizave.
Ata përshëndetën qytetarët të cilët fituan të drejtën e një udhëtimi në Austri përmes fushatës kuizit që u mbajt nga Bashkimi Evropian.
Kurti ka thënë se pritjet kanë qenë të gjata dhe qytetarët janë privuar nga shumë mundësi.
“Kjo ditë është e rëndësishme. Po hiqet një padrejtësi e madhe dhe po fitohet edhe një e drejtë e madhe. Bashkë me të po forcohet edhe pasaporta jonë. Forcimi i dokumenteve tona të udhëtimit, është forcim i dinjitetit tonë si shtet në arenën ndërkombëtare. 50 qytetarë do të udhëtojnë për në Vjenë, ata e fituan këtë të drejtë në kuadër të fushatës tonë informuese”, ka thënë ai.
Ndërsa, Gërvalla tha se të gjithë e dinë se sa shumë qytetetarët kanë pritur para ambasadave.
“Sa kohë është humbur edhe në mërgatë duke siguruar ftesa. E dini se sa para janë shpenzuar për para dhe procedura. E dini se sa jo dinjitoze kanë qenë pritjet në rrugë”, ka thënë ajo.