Kurti për takimin me Burns: Mundësi e mirë për të thelluar e avancuar bashkëpunimin tonë strategjik
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se takimi me Drejtorin e CIA-s, William Burns ishte një mundësi e mirë për të biseduar për shume tema dhe thelluar e avancuar bashkëpunimit strategjik me ShBA-në.
Kurti ka thënë se Kosova dëshiron t’i forcojë e zgjerojë marrëdhëniet e fuqishme bilaterale.
“Marrëdhëniet e fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duam t’i forcojmë e zgjerojmë edhe më tej. Vizita e Drejtorit të CIA-s, diplomatit briliant William Burns, ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash dhe për të thelluar e avancuar bashkëpunimin tonë strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka thënë se e ka njoftuar Burns me arritjet në Kosovë dhe falënderuar për vizitën historike.
“E njoftova z. Burns me progresin e vendit tonë, të cilin e ruajmë dhe mbrojmë teksa e ngrisim më tej dhe shtojmë. Qeveria e Republikës së Kosovës gjithashtu po i menaxhon sfidat e brendshme të sigurisë suksesshëm, e drejtuar nga forca e ligjit të drejtë me institucione e mekanizma të shtetit tonë demokratik. Në tri vitet e fundit, gjersa Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% e buxheti shtetëror për 35%, për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes, i kemi dedikuar 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor. Çlirimi e pavarësia e vendit tonë, mbështetja e përhershme amerikane në aq shumë fusha, ishin e janë gjë e drejtë dhe e duhur që ia ka vlejtur fort për të gjithë. Shpreha edhe përkushtimin e pareshtur drejt vlerave e parimeve të përbashkëta që ndërlidhen me lirinë dhe demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe orientimet e palëkundura drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.
E falënderoj Drejtorin e CIA-s, William Burns, për mbështetjen e vazhdueshme dhe këtë vizitë historike në vendin tonë”, ka shkruar Kurti pas takimit të zhvilluar të premten në mëngjes.
Drejtori i CIA-së të enjten ka takuar edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa para vizitës në Kosovë, ishte në Sarajevë e Beograd.