Kryeministri Albin Kurti ka folur rreth takimit që kishte me shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns.
Kurti u shpreh se takimi ka shkuar në mënyrë të duhur.
“Takimi ka shkuar shumë mirë dhe natyrisht që ne kemi bashkëpunim me ShBA dhe këtë institucion të rëndësishëm të inteligjencës dhe sigurisë përmes Agjencisë tonë të Inteligjencës,” tha Kurti.
Teksa falënderoi Burns për vizitën në vend, Kurti shtoi se kjo është një dëshmi tjetër e përkushtimit të ShBA-së ndaj Kosovës.
“Unë e falënderoj shefin e CIA-s William Burns që vizitoi vendin tonë, dhe kjo është dëshmi tjetër e përkujdesit dhe përkushtimit të ShBA-ve për sigurinë dhe parandalimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë për republikën tonë në kuadër të marrëdhënieve bilaterale me ShBA-të dhe të paqes dhe stabilitetit dhe sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Kurti.
Ndryshe, shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, është takuar me kryeminstrin e Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e 23 gushtit.
E një ditë më herët, Burns u takua në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.