Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ironizuar me deklaratat e opozitës se zgjedhjet e reja parlamentare do të mbahen në pranverën e vitit 2022.
Në konferencën për media pas mbledhjes së fundit të Qeverisë sivjet, Kurti ka pyetur se “mos bëhet fjalë për 1 prillin”, duke aluduar në ditën e gënjeshtrave.
“Ata që dëshpëruan qytetarët dhe na e bënë neve fitoren historike, vazhdojnë të jenë të dëshpëruar me ne që po qeverisim tani”, ka thënë Kurti.
Në këtë konferencë për media, i pari i ekzekutivit është lavdëruar për menaxhim të pandemisë e zhvillim ekonomik. Sipas tij, aktualisht janë të vaksinuar mbi 60 për qind e qytetarëve mbi 18-vjeçarë.
Për zhvillimin ekonomik ai ka thënë se rritja është dyshifrore, me rritje të të hyrave e zvogëlim të shpenzimeve qeveritare.
Sipas tij, janë formalizuar mbi 10 mijë vende pune sivjet.
Për dialogun, Kurti ka thënë se i kanë pasur vetëm dy takime me palën serbe, por sipas tij, “s’ka qenë i padobishëm procesi i bisedimeve në Bruksel”.
“Arritëm marrëveshje për reciprocitetin për targa. Jo vetëm që nisëm në një pikë të rëndësishme, por u pranua në Bruksel. Beosj se është e arritur e mirë. Për marrëveshjen ligjërisht të obligueshme duhet të ndryshojë pakrahasimisht Serbia”, ka shtuar ai.
Kurti është zotuar se referendumi i organizuar nga Serbia s’do të lejohet të mbahet në Kosovë.
Ai ka falënderuar Shqipërinë që i siguroi Kosovës rrymë për ditët e festës së fundvitit.