Kryeministri Albin Kurti ka treguar për rëndësinë e disa ligjeve që Kuvendin i Kosovës i ka miratuar në seancat që janë mbajtur gjatë ditës se enjte.
Kurti ka thënë se “me këto ligje do ta bëjmë banimin dhe shëndetësinë publike të dinjitetshme, të qasshme dhe të përballueshme për të gjithë, pasurinë e pajustifikueshme do t’ia kthejmë shtetit, dhe si mikpritës të ngjarjes më të madhe sportive në histori vendin do ta bëjmë me infrastrukturën sportive më të mirën në rajon”.
Tutje, ai tha se këto ligje janë rezultat i punës së pandërprerë dhe insistuese gjatë këtyre katër vjetëve dhe sipas tij paraqesin themelet e mandatit tonë të ardhshëm.
“Ndër të tjera, Kuvendi miratoi sot katër ligje jashtëzakonisht të rëndësishme:
-Për Banim Social dhe të Përballueshëm;
-Për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor;
-Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme; dhe
-Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.
Falënderoj deputetët e Kuvendit për mbështetjen me votë dhe kontributin deri në finalizimin e tyre”, ka shkruar Kurti.