Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se përkushtimi ndaj ndërmarrësve dhe industrisë ka qenë thelbësore prej kohës sa ai është kryeministër.
Kurti përmendi mbështetjen në rritjen e konkurrencës 499 bizneseve me potencial eksporti, përmes skemave të granteve për avancim të teknologjisë, standardizim e certifikim, trajnim dhe digjitalizim në vlerë totale prej 15.2 milionë euro.
“Përmes mbështetjes prej 33 milionë euro për Fondin Kosovar për Grananci Kreditore, janë garantuar mbi 1,000 kredi për afër 1,000 biznese në vlerën prej 67 milionë euro. Përfituesit kryesorë kanë qenë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në sektorët industrial me potencial eksporti. Gjithashtu në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, masës 2.1 për subvencionimin e kredive investuese, kemi mbështetur me 12.4 milionë euro gjithsej 450 biznese. Bizneset i kemi përkrahur edhe në ndërkombëtarizimin dhe promovimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre. Me mbështetjen tonë 250 biznese kanë marrë pjesë në 41 panaire ndërkombëtare”.
“U bëmë pjesë e njërit prej programeve më të mëdha të BE-së, programit “Tregu i Përbashkët”, në vlerë prej 4.2 miliardë euro. Ky program parasheh mbështetje të bizneseve dhe organizatave, gjatë periudhës 2021-2027. Synimi i tij është fuqizimi i mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimi i konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, mbrojtja e konsumatorit, përfshirë këtu siguria e ushqimit, përmirësimi i statistikave dhe përmirësimi i sektorit financiar”, shkroi Kurti, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, kreu i qeverisë përmendi edhe investimet kapitale prej 1.3 milion euro ku u finalizuan ndërtimet dhe u funksionalizuar parqet industriale në Viti, Vushtrri, Suharekë dhe inkubatorin e biznesit n Malishevë.
“Ndërsa me investimet kapitale prej 5.2 milionë euro po vazhdojmë ndërtimet për funksionalizim të parqeve industriale në Lipjan, Rahovec, dhe fillimin e ndërtimit të Parkut Industrial në Mitrovicë. Për më shumë hapësirë për kreativitet dhe inovacion për të rinjtë dhe kompanitë e reja, kemi mbështetur me 8 milionë euro Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren dhe e dhamë në shfrytëzim për 5 vjet Inkubatorin e Biznesit “Tech Park” në Prishtinë”,.
“Me prioritet të lartë i sollëm reformat e shumëpritura në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Plotësuam zbrazëtirat në kornizën legjislative në përmirësimin e ambientit për të bërit biznes, nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, mbrojtjen e konkurrencës, reformën në mbikëqyrjen e tregut, mbrojtjen e konsumatorit, fuqizimin e mbrojtjes së pronësisë industriale, dhe turizmin e qëndrueshëm – duke miratuar 19 ligje dhe 39 akte nënligjore në harmoni me parimet e standardet ndërkombëtare dhe direktivat e BE-së”, tha tutje Kurti, transmeton Klankosova.tv.
Kurti përmendi edhe hartimin dhe miratimin e Ligjit për Turizmin dhe katër akte nënligjore për rregullimin e shërbimeve të turizmit, duke thënë se për herë të parë, Kosova ka kornizë ligjore për veprimtarë e udhërrëfyesve turistik, veprimtaritë e agjencive të udhëtimit, shërbimet turistike të turizmit aktiv dhe aventuror dhe regjistrin e turizmit, bashkë me plaftormën digjitale.
“E vendi ynë gjatë tri vjetëve të fundit është bërë gjithnjë e më e tërheqës si destinacion turistik. Trendi i numrit të turistëve ka shënuar rritje nga viti në vit. Numri i netëve të qëndrimeve të vizitorëve vendorë dhe të jashtëm në vitin 2022 shënoi rritje prej rreth 44%. Kurse në vitin 2023, numri netëve të qëndrimeve është rritur prej 86% në krahasim me vitin paraprak – rreth 50 % e tyre janë nga vizitorë ndërkombëtarë”.
“Trendi pozitiv në turizëm u vërtetua në fillim të këtij viti, kur numri i vizitorëve në muajin janar ishte për 50% më i lartë se në të njëjtin muaj vitin të kaluar. Me fjalët e revistës së mirënjohur, National Geographic që të enjten i kushtoi një artikull potencialit turistik të vendit tonë, ‘Kosova është vendi i skenës më të re të aventurës në kontinentin e Evropës’”.