Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka akuzuar partitë ish-opozitare për vështirësim dhe pengim të procesit të votimit me postë.
Sipas tij, opozita, në sinkronizim me Listën Serbe, po e pengon të drejtën kushtetuese të mërgatës për të votuar.
“Dje në KQZ u votua për t’ua vështirësuar mërgatës edhe mundësinë minimale për të votuar me postë. Kujtojmë se në balotazhin e 9 nëntorit mbi 60% e mërgatës nuk arritën të votojnë për shkak të vonesave të rënda në dërgimin e zarfeve. Në vend se ky dështim të shërbente si mësim për ta lehtësuar procesin, u tentua sërish të pamundësohet votimi përmes postës. Komunikimi zyrtar mes KQZ-së dhe shërbimeve postare publike dhe private tregon se dërgimi fizik i fletëvotimeve është shumë i vështirë, dhe shumica nuk arrijnë përpara datës 5 janar. Në thelb, kjo opozitë po pengon votën e mërgatës dhe të drejtën e saj kushtetuese për të votuar, fatkeqësisht në sinkronizim me Listën Serbe”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e 61-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.
Kurti tutje ka shtuar se përputhja e votimeve të opozitës me Listën Serbe është e dukshme dhe e frikshme jo vetëm në Kuvend, por sipas tij, edhe në institucione të tjera, përfshirë KQZ-në.
“Përputhja në votime e opozitës kosovare me Listën Serbe është e frikshme. Ky sinkronizim nuk ndodh vetëm në Kuvend, ku ata votonin kundër Albulenes, meje e Glaukut, ndërsa ndaj Listës Serbe maksimalisht kundërshtojnë vetëm duke abstenuar. Ndërkaq, zelli me të cilin votojnë kundër nesh pasqyrohet edhe në institucione të tjera, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, ka thënë ai.










