Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se po punojnë çdo ditë që FSK-ja të jetë sa më moderne, sa më e fortë dhe po aq profesionale.
Kurti këtë e ka thënë pas një takimi që ka pasur me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ministrin e Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati.
“Në Ballkonin e Hapur flasim hapur: një mëngjes pune në kryeministri me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ministrin e Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati. Diskutuam planet dhe mbështetjen e Qeverisë që asnjëherë nuk ka qenë më e madhe e më e lartë.
Zhvillimi dhe fuqizimi i ushtrisë në shërbim të mbrojtjes dhe sigurisë së vendit është ndër prioritet tona kryesore, andaj po punojmë çdo ditë që FSK-ja të jetë sa më moderne, sa më e fortë dhe po aq profesionale”, ka shkruar Kurti.
Procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në forcë me kapacitete ushtarake, ka hyrë në vitin e gjashtë të planit dhjetëvjeçar.
Buxheti i ndarë për këtë vit për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës tejkalon 200 milionë euro.