Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se konferenca e përbashkët ballkanike mban në vëmendje rëndësinë jetike që ka furnizimi me ujë dhe shërbimet e kanalizimit.
Përmes një komunikate për medie nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka thënë se kjo konferencë promovon shkëmbimin e përvojave teknologjike dhe ofron një perspektivë për profesionistët e rinj të sektorit.
“Më tej, kryeministri Kurti ka potencuar se mbetet i dukshëm injorimi prej dy dekadash i keqmenaxhimit, ndotjes dhe degradimit të burimeve ujore, nga eksploatimi i rërës dhe zhavorrit, tejshfrytëzimi, ndotja dhe mungesa e planifikimit, ndërsa ka theksuar se Qeveria nën drejtimin e tij, është mobilizuar në disa fronte për ta adresuar këtë sfidë: duke u nisur nga forcimi i kornizës ligjore dhe kthimi i ligjshmërisë për të adresuar lejet ujore si dhe koncesionet për shfrytëzuesit komercial; e duke vazhduar me veprimet konkrete për adresimin e nevojës për ndërtimin e akumulimeve të reja, duke filluar nga ato që janë prioritet i padiskutueshëm, siç është diga e Firajës që do të sigurojë ujë për rajonet e Ferizajt, Gjilanit dhe Prishtinës dhe diga e Kamenicës, për të siguruar ujin e nevojshëm për zonën më të thatë me ujëra”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, sipas komunikatës, kryeministri tha se tashmë është iniciuar hartimi i studimeve të fizibilitetit për tri diga të reja: Dragaqinë në Therandë, Pollatë në Podujevë dhe Kuçicë në Skenderaj, si dhe hartimi i një plani në nivel të Kosovës për ndërtimin e digave të reja, që është një përditësim i masterplanit të ujërave të vitit 1982, pra pas plotë 40 viteve.
“Qeveria po ashtu është duke adresuar seriozisht ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave – së fundmi e kemi inauguruar impiantin në Pejë, e javëve në vijim presim ta bëjmë edhe inaugurimin e impiantit në Gjakovë. Në rend janë impiantet rajonale të Prishtinës së bashku me Fushë Kosovën, Obiliqin dhe Graçanicën, dhe të Mitrovicës së bashku me Vushtrrinë, e gjithashtu edhe impianti në Gjilan. Synojmë t`i përfundojmë studimet për trajtimin e ujërave të ndotura për 12 komunat tjera me rend sipas madhësive”, tha ai.