Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se procesi i intervistimit të kandidatëve për kryeprokuror të shtetit që do të mbahet sot është tejet i rëndësishëm për qytetarët dhe shtetin e së drejtës.
Kurti ka thënë se pret që ky proces të jetë i drejtë dhe transparent.
Sipas tij, Kosova ka nevojë që të zgjidhet një kryeprokuror që ka integritet të lartë moral dhe profesional por edhe që është i guximshëm, punëtor e energjik.
Shkrimi i plotë:
Sot zhvillohet intervistimi i kandidatëve për kryeprokuror të shtetit.
Ky proces është tejet i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, për qytetarët dhe shtetin e së drejtës, prandaj ka vëmendjen e të gjithëve.
Kosova dhe qytetarët kanë nevojë që të zgjidhet një kryeprokuror që ka intergritet të lartë moral dhe profesional por edhe që është i guximshëm, punëtor e energjik.
Krimi i organizuar, korrupsioni i lartë dhe çdo lloj kriminaliteti duhen luftuar kudo e tërë kohën. Drejtësia nevojitet për dinjitetin dhe mirëqenien e qytetarit por edhe për sigurinë tonë shtetërore e kombëtare.
Si kryeministër i vendit pres që ky proces të jetë i drejtë, transparent dhe meritor.