Nga java e shkuar, rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Bërnjak e Jarinjë janë bllokuar nga barrikadues serbë, që po protestojnë pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq i cili dyshohet për sulmet ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në komunat e veriut, në përpjekjet e shtetit për t’i organizuar zgjedhjet që fillimisht ishte paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor, e që më pas u shtynë për shkak të tensioneve, shkruan Gazeta Sinjali.
Tash e shtatë ditë, Policia e Kosovës është duke e monitoruar veriun e Kosovës ku policë të shumtë janë angazhuar për të ofruar siguri dhe rend. Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për largimin e barrikadave në veri ka thënë se po presin nga misioni i KFOR-it që t’i largojnë ato.
Kurti, të dielën që lamë pas, në një konferencë për media ka thënë se KFOR-i ka kërkuar kohë që t’i largojë barrikadat dhe se po i presin ata (KFOR-in).
“KFOR po kërkon pak kohë që shpejt ta kryej këtë punë dhe ne po presim. Nëse pritja jonë për KFOR-in është zbutje, le të quhet zbutje. Por për të mirën e përgjishme, besoj që megjithatë jemi duke e zgjedhur rrugën më të mirë të mundshme”, ka thënë ai për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.
Megjithatë, kjo pritje po i duket e pakuptimtë deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj.
Qalaj në një deklaratë për Gazetën Sinjali u shpreh se institucioni përgjegjës për largimin e barrikadave është Policia e Kosovës.
“Nuk mund ta kuptoj Qeverinë e Kosovës, realisht di që institucioni që duhet t’i largoj këto bllokada është Policia e Kosovës dhe askush tjetër. Policia e Kosovës pret për një vendim politik nga Qeveria,
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, tha se Qeveria është duke u vonuar me marrjen e vendimit për largimin e barrikadave.
“Unë shpresoj që Qeveria ka me autorizu Policinë që ta zbatojë ligjin që ta mundësojë lëvizjen e lirë të njerëzve në ato akse rrugore në drejtim të pikave kufitare dhe pastaj t’i identifikoj të gjithë ata persona të maskuar dhe të armatosur dhe t’i sjellë para drejtësisë. Duhet pritur vendimi i Qeverisë i cili vendim po vonon, arsyet nuk i di nuk mund t’i kuptoj“, u shpreh Qalaj për Sinjalin.
Ndryshe, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka kërkuar që të ndalen shfaqjet provokuese të forcës në veri të Kosovës, teksa ka përsëritur që ka kapacitetet e mjaftueshme për të ofruar siguri.
Në një reagim në Twitter të premten, KFOR-i ka përsëritur se po e monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës.
“KFOR-i ka kapacitetet dhe personelin për të ofruar siguri dhe ambient të sigurët e lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet nën mandatin tonë që buron nga rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftim.
KFOR-i ka shtuar se që nga tetori ka përforcuar praninë, duke përfshirë shtimin e trupave, por edhe patrullimet në veri të Kosovës këtë javë.
“Presim që të gjithë akterët të koordinohen ngushtë me KFOR-in dhe të përmbahen nga shfaqja provokuese e forcës, që të ofrohet siguri për të gjitha komunitetet. Nxisim të gjitha palëve të angazhohen për të mundësuar siguri dhe lëvizje të lirë në Kosovë. KFOR-i do ta vazhdojë përmbushjen e mandatit të vet për të gjitha komunitetet në Kosovë. Zgjidhjet duhet të synohen nëpërmjet dialogut”, shkruhet më tej në postimin e Twitterit.
Po të premten, misioni i KFOR-it ka konfirmuar se është duke e shqyrtuar kërkesën e Serbisë për mundësinë e kthimit të ushtrisë serbe në Kosovë.