Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, Giovanni Pietro Barbano, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate të lëshuar nga Qeveria, bëhet e ditur se në takim është biseduar për bashkëpunimin mes Qeverisë dhe institucioneve të rendit dhe sigurisë me misionin EULEX me qëllim të forcimit të sundimin të ligjit, si dhe për zhvillimet në vend.
Ai ka theksuar përkushtimin e Qeverisë për shtet ligjor dhe demokraci.
“U bisedua për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të rendit dhe sigurisë me misionin EULEX me qëllim të forcimit të sundimin të ligjit, si dhe për zhvillimet në vend. Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë për shtet ligjor, demokraci dhe mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për…
Posted by
Qeveria e Republikës së Kosovës
on
Friday, July 7, 2023
Kujtojmë se pak javë më parë, Këshilli i Bashkimit Evropian ka emëruar Giovanni Pietro Barbano, shef të ri të Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë-EULEX.
Barbano është gjeneral major në Karabinierët Italianë dhe drejtor aktual i Qendrës së Ekselencës për Njësitë e Policisë së Stabilitetit në Vicenza, Itali.
Mandati i tij si shef i EULEX-it në Kosovë do të zgjasë nga 26 qershor 2023 deri më 14 qershor 2025.
Vendimi për emërim është marrë nga vendet anëtare të BE-së në Komitetin për Politikë dhe Siguri (KPS).
Barbano është pasardhës i Lars-Gunnar Wigemark.